
Disfatë e rëndë për kampionët e Milanit. Pas dy barazimesh radhazi në kampionat, kuqezinjtë e Stefano Piolit, u mposhtën mbrëmjen e sotme nga Lacio në “Olimpico” me rezultatin 4-0, duke u zhytyr në një krizë rezultatesh, teksa kanë humbur ndjeshëm terren me kryesuesit e Napolit që kanë marrë arratinë.
Elseid Hysaj po i befason të gjithë te Lacio, këtë herë në mënyrë pozitive. Mbrojtësi shkodran e ka nisur sërish si titullar, tani kundër Milanit. Kryeqytetasit arritën që të fitonin me shifrat 4-0 kundër ekipit të Piolit.
Lojtari shqiptar ka bërë një tjetër paraqitje mbreslënëse. Madje në minutën e 62 i ka hequr një gol të sigurt Leaos. Duke e ndjekur aksionin me vëmendje, Hysaj arriti në kohë për të ndërhyrë që të shpëtonte portën.
Hysaj u gradua në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke bërë thuajse gjithçka mirë. Shqiptari u vlerësua me notën 7.5 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”.
Mbrojtësi kuqezi regjistroi 79 % të pasimeve të sakta, ndërkohë që fitoi 10 nga 15 duelet me kundërshtarët. Statistika tepër pozitive këtë për Hysajn.
Me këtë fitore Lacio u ngjit në kuotën e 37 pikëve, po aq sa Interi dhe Roma, duke marrë përkohësisht vendin e tretë.