“Jam tifoz i Brojës dhe Muriqit”/ Tifozi nga Katari tregon pse e bëri shqiponjën ndaj Serbisë

Një tifoz nga Katari ka marrë vëmendje të madhe në Kosovë për shkak të gjesteve që ka bërë ai në Kupën e Botës 2022.

Ahmed Al Sheik, një tifoz nga Katari ka bërë dy herë shqiponjën në sytë e serbëve, pasi ka një dashuri të madhe për shqiptarët.
Ai thotë se i do shqiptarët dhe e di historinë e tyre, teksa dy lojtarët e preferuar të tij janë Broja dhe Muriqi.

“E kam mësuar shqiponjën nga një shok i imi, i cili është djali i një ambasadori të Kosovës. Ai më ka treguar shumë për luftën. Për mua personalisht shqiptarët janë të sjellshëm, shumë mikpritës. Gjatë vizitës sime në Shqipëri ata më bënë të ndihem si në shtëpinë time. Jam lindur dhe rritur në Katar. Që nga vizita ime në Shqipëri, unë gjithmonë kam qenë tifoz i juaji. Dy lojtarët e mi të preferuar janë Broja dhe Muriqi. Rroftë Shqipëria”, ka thënë Ahmed Al Sheikh.